Përplasje virtuale mes Noizy-t dhe Don Xhonit ndez skenën e hip-hop-it shqiptar
Skena e hip-hop-it shqiptar është rikthyer në vëmendje, këtë herë për shkak të një përplasjeje të heshtur, por të dukshme, mes dy prej emrave më të njohur të momentit: Noizy dhe Don Xhoni.
Edhe pse asnjëri nuk e ka përmendur tjetrin me emër, postimet e tyre në rrjetet sociale janë interpretuar gjerësisht si thumbime të ndërsjella. Gjithçka nisi me një Instastory të Don Xhonit, ku ai publikoi një foto me një veturë luksoze dhe mbishkrimin:
“Allo 2shi, 1shi ktu 😉” – një frazë që u komentua gjerësisht si një provokim i drejtpërdrejtë ndaj pretendimeve të Noizy-t për pozicionin e tij si “i pari” në industrinë e repit shqiptar.
Vetëm pak orë më vonë erdhi edhe reagimi i Noizy-t, përmes një postimi në Instagram ku ai shihet pranë një Lamborghini me tufa parash mbi kapak dhe përshkrimin:
“1’shi 2’shi 3’shi pastaj vazhdojnë të tjerët.”
Një deklaratë që u interpretua si përgjigje e qartë ndaj postimit të Don Xhonit dhe si përpjekje për të riafirmuar dominimin në skenën muzikore.
Megjithëse asnjë fjalë nuk është thënë drejtpërdrejt, gjuha vizuale, renditja e fjalëve dhe koha e postimeve kanë mjaftuar për të ndezur spekulime mbi një rivalitet të ftohtë, që tashmë është kthyer në një lojë publike nervash dhe pozicionimi në hierarkinë e hip-hop-it shqiptar.






