Qeveria ka miratuar një fond prej 300 milionë lekësh për të mbështetur startup-et dhe lehtësuesit e tyre gjatë vitit 2026. Skema e grantit është autorizuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore dhe do të zbatohet nga Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve, nën përgjegjësinë e ministrit për inovacionin.
Nga kjo skemë pritet të përfitojnë 51 deri në 100 subjekte, të përzgjedhura përmes një procesi konkurrues. Fondet do të mbulojnë shpenzime që lidhen me krijimin, zhvillimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve inovative, si dhe strukturave që i mbështesin ato.
Komisioni vlerësoi se masa përbën ndihmë shtetërore, pasi u jep avantazh një numri të kufizuar ndërmarrjesh. Megjithatë, ajo u konsiderua e lejueshme, me argumentin se përfitimet për zhvillimin ekonomik tejkalojnë ndikimin e mundshëm në konkurrencë.
Përfituesit do të nënshkruajnë deklaratat përkatëse, ndërsa agjencia zbatuese do të raportojë çdo vit mbi rezultatet dhe impaktin financiar. Të dhënat do të ruhen deri në 10 vite.
A do të jetë ky fond shtysa që startup-et shqiptare të kalojnë nga ide në histori suksesi?
