A është Mateo i dashuruar me Brikenën? Kjo pyetje u rikthye sërish në qendër të vëmendjes pas një bisede të sinqertë mes tij dhe Gretës brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 5.
Gjatë diskutimit, Mateo pranoi se raporti i tij me Brikenën mbetet i ndërlikuar dhe se ajo nuk është për të si vajzat e tjera në shtëpi. Sipas tij, kjo është arsyeja pse nuk arrin ta trajtojë apo ta sulmojë si një banore të zakonshme.
“Po ta them edhe njëherë, unë nuk e shoh si vajzat e tjera dhe nuk e sulmoj dot si të jetë një banore e thjeshtë. Më troç se kaq, a kupton?”, u shpreh Mateo.
Kur Greta e pyeti drejtpërdrejt nëse ishte i dashuruar, ai reagoi menjëherë, duke e cilësuar dashurinë si një fjalë shumë të madhe dhe duke mohuar se po luan rolin e të dashuruarit për sy të publikut.
“Dashuri është fjalë shumë e madhe. Nuk jam hipokrit të dal e të bëj të dashuruarin, por njësoj si të tjerat nuk e trajtoj dot,” shtoi ai.
Biseda mori një ton më të lehtë kur në diskutim u përfshinë edhe Stelina dhe Juela. Në momentin kur Mateo tha se vetëm një person mund t’ia nxjerrë anën e butë, Stelina ndërhyri menjëherë me emrin e Brikenës, duke shkaktuar të qeshura mes banorëve.
Në fund, i pyetur për situatën e krijuar rreth tij, Mateo u shpreh me ironi:
“Këtu brenda më kanë bërë tabelë qitje.”
Deklaratat e tij kanë nxitur sërish dyshime dhe komente mbi ndjenjat reale që ai ka për Brikenën, duke e mbajtur historinë e tyre një nga më të përfolurat e këtij edicioni.






