Reperi i njohur Ledri Vula ka rikthyer energjinë e tij karakteristike me këngën më të re “6ex AM”, që po pritet me entuziazëm nga fansat e muzikës urbane.
Kënga, me tekst dhe performancë nga vetë Ledri, ndërthur stilin e tij unik me tinguj modernë, duke sjellë një frymë të re në diskografinë e artistit. Në produksion kanë marrë pjesë Lirian Kaçi (Lurromusic), Adion Puka (adionthebeat) dhe Eros Lila, ndërsa Diona Fona ka kontribuar me vokalet prapavijë.
Ashtu si gjithmonë, videoklipi spikat për stil dhe energji, duke reflektuar identitetin artistik të Ledrit. “6ex AM” tashmë është publikuar në të gjitha platformat digjitale dhe ka marrë reagime shumë pozitive.
Pas publikimit, Xhensila Myrtezaj reagoi në rrjetet sociale duke ndarë një pjesë nga klipi me mbishkrimin “Amazing”, duke treguar mbështetjen për kolegun e saj. Megjithëse janë përfolur për një lidhje, të dy artistët kanë theksuar se raporti i tyre mbetet profesional dhe brenda të njëjtit ekip muzikor.

