Kryetari i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, do të jetë i ftuari i radhës në emisionin “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin, ku është përballur me një nga pyetjet më të sikletshme të mbrëmjes.
Megjithëse puntata ende nuk është transmetuar, Arbana ka ndarë në Instagram disa momente të shkurtëra nga intervista, ku shihet momenti kur ajo e pyet drejtpërdrejt Qorin për gjendjen e tij bankare.
“Sa para ke në llogarinë tënde?” – e pyet Arbana, duke e vënë krejt papritur në siklet politikanin.
Qori, pa shumë hezitim, u përgjigj me sinqeritet:
“Menaxhimin e financave e ka bashkëshortja ime, por mendoj se diku te 20 milionë lekë të vjetra, plus minus 5 mijë euro.”
Reagimi i Arbanës nuk mungoi, ndërsa moderatorja, e habitur nga përgjigjja, tha me buzëqeshje:
“Sa the?”
Ky moment pritet të jetë një nga më të komentuarit e episodit të ri të “Mirëmbrëma Yje”, që pritet të transmetohet së shpejti në Top Channel.






