Reperi i njohur Noizy është arrestuar ditën e djeshme në aeroportin e Cyrihut, teksa ishte nisur për të performuar në një nga klubet më të njohura të natës në Zvicër.
Sipas mediave zvicerane Watson dhe njoftimit zyrtar nga Policia kantonale e Cyrihut, arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda me Dhunë, që kërkonte reperin në lidhje me një incident të mëparshëm.
Pas arrestimit të tij, ka reaguar reperi tjetër i njohur, Stresi, i cili në një postim në Instagram ka zbuluar më shumë detaje mbi ngjarjen.
Sipas tij, gjithçka lidhet me një konflikt që ka ndodhur verën e kaluar në një diskotekë, ku ishte i përfshirë një shtetas zviceran me emrin Medi Iseni.
Stresi publikoi gjithashtu foto të Medi Isenit të dhunuar dhe rrëfeu se që nga ajo përplasje, ai vetë ka shmangur udhëtimet drejt Zvicrës, për shkak të frikës se mos përballej me ndonjë kallëzim penal.
Ndërkohë, klubi ku Noizy pritej të performonte, ka hequr të gjitha njoftimet për koncertin nga rrjetet sociale, ndërsa priten zhvillime të tjera në lidhje me këtë çështje që ka tronditur skenën muzikore shqiptare.







