Policia e Fierit ka arrestuar Ardit Kero, ish-drejtor financiar në “Bankers Petroleum Albania” dhe njëkohësisht ish-bashkëshorti i moderatores së njohur Arbana Osmani, nën akuzën për përfshirje në një skemë të madhe evazioni fiskal dhe pastrimi parash.
Sipas burimeve të Prapaskena.com, arrestimi është rezultat i një hetimi disa-mujor nga Prokuroria e Fierit, ku Kero identifikohet si një nga figurat kyçe që menaxhonte praktika të dyshuara të paligjshme financiare brenda kompanisë.
Ai akuzohet për manipulimin e shpenzimeve dhe përdorimin e faturave fiktive, për të shmangur pagesën e tatimeve, duke dëmtuar kështu ndjeshëm buxhetin e shtetit shqiptar.
Hetuesit dyshojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara ilegalisht janë shfrytëzuar për blerje pronash dhe shpenzime luksoze, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në kuadër të këtij hetimi janë përfshirë edhe emra të tjerë të rëndësishëm të kompanisë, përfshirë drejtuesin aktual Hongping Xiao dhe disa ish-drejtues të huaj, që janë nën vëzhgim për lidhje me këtë skemë të dyshuar.
Hetimet vazhdojnë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë të tjera zhvillime lidhur me skandalin që hedh hije mbi industrinë e naftës në Shqipëri dhe ngrit pyetje serioze mbi menaxhimin e pasurive natyrore dhe zbatimin e ligjeve fiskale në vend.






