Vetëm 3 ditë pasi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u mor nën akuzë nga SPAK, një tjetër zhvillim ka tronditur familjen Balluku.
Moderatorja dhe ish-opinionistja e njohur e “Big Brother VIP”, Neda Balluku, ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për divorc në Gjykatën e Tiranës nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i ministres.
Çifti, që u njoh në shtëpinë e “Big Brother Albania” në vitin 2010, e kurorëzoi lidhjen e tyre me martesë në 2015. Prej vitesh, Neda dhe Ogreni janë konsideruar si një ndër çiftet më të qëndrueshme të showbizit shqiptar, por duket se pas më shumë se një dekade bashkëjetese, martesës së tyre i ka ardhur fundi.
Sipas burimeve të Voxnews.al, marrëdhënia e çiftit kishte kohë që po kalonte një periudhë krize, por vendimi për t’u ndarë duket se është konkretizuar vetëm disa ditë pas zhvillimeve që përfshinë familjen Balluku në hetimet e SPAK-ut.
Megjithëse lajmi për ndarjen e tyre ka bërë bujë të madhe, burime pranë çiftit theksojnë se Neda dhe Ogreni po përpiqen të ruajnë një raport korrekt, duke vënë në qendër të vëmendjes interesin e fëmijëve të tyre.
Në mes të gjithë zhurmës mediatike, Neda ka njoftuar në Instagram se do të jetë e ftuar nesër në emisionin “Goca dhe Gra” në orën 21:00, ku pritet të flasë për herë të parë pas lajmeve për divorcin dhe zhvillimet në familjen Balluku.
Publiku pret me kureshtje nëse moderatorja do të zbulojë arsyet e ndarjes dhe nëse vendimi i saj ka ndonjë lidhje me ngjarjet e fundit që kanë përfshirë familjen e bashkëshortit.






