Pas vëmendjes së madhe që mori me konfirmimin e lidhjes së tij të re, aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku, ka zgjedhur sërish rrjetet sociale për të ndarë një mesazh emocional dhe domethënës, këtë herë me një dedikim të drejtpërdrejtë për partneren e tij.
Vetëm pak ditë më parë, Besi “tronditi rrjetin” me një fotografi simbolike të dy duarve të shtrënguara, ku në parakrahun e tij ishte i tatuazhuar emri “Ejona” dhe data “25.12.2025”, duke lënë të kuptohet se kjo datë shënon fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tij, pas ndarjes nga Xhensila Myrtezaj.
Në postimin e tij më të fundit në Instagram, aktori ka ndarë një citat biblik nga Psalmi 30:11, përmes të cilit ka përshkruar gjendjen e tij shpirtërore:
“Ti më ke kthyer vajtimin në valle, më ke hequr rrethin e fatkeqësisë dhe më ke mbushur me gëzim!”
Fotografia bardhë e zi, ku Besi shfaqet i qetë dhe me buzëqeshje, duket se pasqyron pa fjalë paqen dhe lumturinë që po përjeton në këtë fazë të re të jetës së tij.
Ky dedikim shihet si një reflektim i qartë i ndryshimeve emocionale të aktorit, i cili po lë pas një periudhë të vështirë dhe po gjen sërish gëzim pranë partneres së tij të re. Data 25 dhjetor duket se ka një domethënie të veçantë për Besin, një moment që ai tashmë nuk nguron ta ndajë publikisht me ndjekësit.






