Pas publikimit të spotit zyrtar nga Elhaida Dani për edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës në RTSH, prapaskenat kanë filluar të gumëzhijnë me zhvillime të reja. Dy prej figurave më të njohura të ekranit shqiptar, Luana Vjollca dhe Arbana Osmani, janë futur në garë për prezantimin e këtij spektakli muzikor.
Burime pranë RTSH bëjnë me dije se Luana Vjollca ka dorëzuar zyrtarisht një platformë të strukturuar artistike, ku përveç propozimit për drejtimin e festivalit, ka përfshirë edhe emrin e skenaristit me të cilin synon të ndërtojë gjithë konceptin e mbrëmjes. Platforma ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH.
Nga ana tjetër, Arbana Osmani është e vendosur për një rikthim në skenën e Fest ’64. Ajo ka paraqitur një projekt të detajuar, në të cilin përfshihen bashkëpunëtorët kryesorë: kameramani, regjisori dhe skenaristi që e shoqërojnë në këtë propozim ambicioz.
RTSH ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa publiku mbetet në pritje të emrit që do të udhëheqë këtë edicion historik.






