Anaid Kaloti shpërthen ndaj Gjestit dhe Eglit: “Narrativë e sajuar, vetëm ChatGPT mund ta trillonte!”
Anaid Kaloti ka reaguar sërish këtë të hënë me një postim të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në Instagram, duke shënjestruar dy ish-banorët e Big Brother VIP Albania 4, Gjesti dhe Egli. Në një ton të ashpër dhe pa filtra, ai akuzoi çiftin për sjellje manipuluese dhe kërkim të vëmendjes me çdo kusht.
Reagimi i tij vjen pas një postimi të mëhershëm ku aludonte për një ngjarje të ndodhur në një hotel, duke lënë të kuptohet se lidhja e dyshes është më shumë një “show” sesa një ndjenjë e vërtetë. Ai nuk ngurroi të thotë se, sipas tij, dashuria mes tyre është e simuluar për vëmendje mediatike.
Gjesti reagoi menjëherë në rrjetet sociale me një video ku i bëri thirrje Anaidit që të mos flasë “pa lidhje”. Por Kaloti nuk u tërhoq. Në vend të kësaj, ai publikoi një tjetër reagim, ku përmendi një “fabulë me pesë dëshmitarë” që, sipas tij, përfshin Gjestin, Eglin, menaxherin e tyre dhe dy persona të tjerë. Ai lë të nënkuptohet se diçka më e madhe fshihet pas kësaj historie – diçka që publiku ende nuk e di.
Në deklaratat e tij, Anaidi e quan gjithë narrativën e çiftit të sajuar, duke i akuzuar për aktrim dhe përpjekje për të manipuluar publikun. Ai thekson gjithashtu se në të kaluarën i ka ndihmuar dhe mbështetur, por tani i konsideron mosmirënjohës.
Në fund, nuk mungoi ironia:
“Unë kisha parë çifte që putheshin nga telefoni, po çifte me bluzë në 2025… vetëm ChatGPT mund të trillojë histori kaq të dobët!”


Ndjekësit janë të ndarë në komente, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përgjigje të dytë nga Gjesti dhe Egli, apo nëse kjo “telenovelë” do të vijojë edhe për pak.






