Një ngjarje e bujshme ka tronditur komunitetin shqiptar në diasporë dhe më gjerë. Aktori i njohur shqiptar Vis (Elvis) Pupa është shpallur në kërkim nga autoritetet australiane, ndërsa bashkëshortja e tij, terapistja Belina Pupa, po përballet me akuza serioze për kultivim të një sasie të konsiderueshme kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike.
Belina, e njohur gjerësisht në rrjetet sociale si promovuese e mirëqenies mendore me mbi 80 mijë ndjekës, u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide. Deri tani, ajo nuk ka pranuar fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të. Hetimet zbuluan 43 bimë kanabisi në një pronë në Ascot Park, çka e bën rastin të kategorizohet si kultivim në shkallë të gjerë.
Avokati i Belinës kërkoi lehtësim të kushteve të lirimit me kusht, duke theksuar se ajo ka detyrime profesionale ndërkombëtare, përfshirë udhëtime të rregullta në Shqipëri ku ushtron profesionin e saj edhe në media. Megjithatë, prokuroria e kundërshtoi me forcë këtë kërkesë, duke shprehur shqetësim për rrezikun e shmangies nga drejtësia, sidomos pasi bashkëshorti i saj, Vis Pupa, është larguar nga Australia dhe aktualisht është në kërkim.
Seanca u shty për javën e ardhshme, ndërkohë që Belina Pupa do të qëndrojë përkohësisht në liri me kusht. Ngjarja ka hapur debat të gjerë publik dhe ka tronditur figurën e njohur të Belinës, e cila deri tani ishte vlerësuar për promovimin e shëndetit mendor dhe angazhimin në komunitet.
Ndërkohë, autoritetet australiane po intensifikojnë përpjekjet për të gjetur dhe ndaluar aktorin Vis Pupa, i cili tashmë ndodhet nën akuzë dhe jashtë vendit.






