Në puntatën e parë të sezonit të ri të emisionit “Goca dhe Gra”, i ftuar ishte Jozefin Marku – një nga emrat më të përfolur të momentit pas daljes nga Big Brother VIP Albania 4. Krahas projektit të tij muzikor dhe jetës pas shtëpisë më të famshme në Shqipëri, vëmendja u përqendrua, siç pritej, edhe tek raporti i tij me Loredana Bratin, me të cilën nisi një romancë gjatë qëndrimit në reality show.
Në panelin e emisionit tashmë është edhe vetë Loredana, e cila ndodhej përballë Jozit në një takim që i ngjante një ballafaqimi emocional të shumëpritur nga publiku. Të dy u përballën me pyetjet pikante rreth lidhjes së tyre – një marrëdhënie që ka mbetur enigmë edhe pas përfundimit të spektaklit.
I pyetur nëse janë ende bashkë, Jozi zgjodhi të ruajë një dozë diplomacie. “Nuk mund ta themi se jemi bashkë apo jo. Kemi momentet tona të bukura. Do ia lëmë kohës”, deklaroi këngëtari, duke lënë hapur çdo skenar për të ardhmen.
Edhe pse pa një përgjigje të prerë, deklarata e tij la të kuptohet se marrëdhënia me Loredanën nuk ka marrë fund, por po kalon ndoshta një fazë të qetë reflektimi. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo histori do të vazhdojë jashtë kamerave, apo do të mbetet një kujtim i ëmbël i një reality show.






