Këngëtarja e njohur shqiptare Diona Fona ka rrëfyer për herë të parë detaje të ndjeshme nga jeta e saj personale dhe profesionale, gjatë një interviste në emisionin “S’e Luan Topi”.
Artistja, e cila është bërë e njohur për vokalin e saj të veçantë dhe stilin modern, ka treguar se fama nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për t’u përballuar – as për të, dhe as për njerëzit pranë saj.
“Ka pasur shumë momente që kam menduar ta braktis famën,” – u shpreh Diona me sinqeritet.
“Kur je 18 vjeçe dhe të gjithë presin shumë prej teje, është sfidë e madhe.”
Ajo shtoi se, ndonëse rruga drejt suksesit ka qenë plot pengesa, dashuria për muzikën ka qenë ajo që e ka mbajtur të fortë:
“Presioni i njerëzve dhe pritshmëritë e mëdha ndonjëherë të lodhin, por unë e dua muzikën dhe nuk mund ta lë pas.”
Në një moment të intervistës, Diona foli edhe për jetën e saj sentimentale, duke bërë një rrëfim që ka prekur shumë ndjekës:
“Ish i dashuri im nuk e përballonte dot karrierën time. Kur ke famë, sidomos si artiste, ekziston një paragjykim i madh që nuk je vajzë e mirë. Është shumë e padrejtë.”
Ajo pranoi se ka pasur një lidhje shumë të fortë emocionale, aq sa në një moment ka menduar të sakrifikojë gjithçka për dashuri:
“Shumë e kam dashur. Kam menduar edhe të heq dorë nga gjithçka vetëm për dashuri,” – përfundoi këngëtarja.
Rrëfimi i Dionës ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, ku fansat kanë vlerësuar sinqeritetin e saj dhe forcën për të ndarë publikisht përvojat personale që shumë vajza mund t’i kuptojnë.






