Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, ishte së fundmi i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli hapur për jetën e tij personale, përfshirë divorcin dhe marrëdhënien aktuale me fëmijët.
Ai u ndal për herë të parë publikisht te ndarja nga bashkëshortja, e cila kishte ndodhur dy vite më parë, por që u bë e ditur vetëm së fundmi. “Nuk ka ndarje që nuk është e vështirë, por jam në një paqe fantastike me veten dhe mendoj se është një nga vendimet më të drejta që kam marrë në jetë,” – tha ai.
Isai pranoi se sfida më e madhe e këtij procesi ka qenë përshtatja me konceptin e një familjeje të re, ku vajzat ndajnë kohën mes nënës dhe babait. “Nuk di të shpjegoj ndjesitë e asaj kohe, por është një shkallë që e ngjisë dhe eci përpara,” – shtoi ai, duke theksuar se nuk dëshiron të japë detaje që mund të rikthejnë zhurmën mediatike.
I pyetur për një status të mëparshëm të ish-bashkëshortes, në të cilin ajo aludonte për mungesën e tij në jetën e vajzave, Isai zgjodhi të ruajë respektin dhe diskrecionin. “Nënën e fëmijëve të mi do ta respektoj gjithmonë. Nuk do të komentoj kurrë për të. Përtej vendimeve të gjykatës, marrëdhënia ime me vajzat është shumë më e thellë dhe aktive. Mundohemi të jemi të dy të pranishëm në çdo aktivitet të tyre,” – u shpreh ai.
Ndër të tjera, Isai konfirmoi se tashmë është në një lidhje të re romantike:
“Kam një romancë të re, kam një jetë të re në jetën time.”
Në lidhje me komentet dhe aludimet që kanë qarkulluar për orientimin e tij seksual, ai reagoi prerë:
“I jap llogari vetëm personit që kam në zemër dhe askujt tjetër. Nuk më bëjnë përshtypje këto spekulime. Më duken thjesht qelbësirllëqe dhe nuk kam çfarë të komentoj më shumë.”






