Site logo

Ntreg

Drama muzikore! Egli: “Fifi i hoqi këngët, unë s’kam të drejta mbi to!”

Pas shumë spekulimeve dhe reagimeve në rrjet lidhur me fshirjen e përkohshme të dy këngëve të njohura ku ishte pjesë edhe Egli Tako, këngëtarja ka vendosur të thyejë heshtjen me një deklaratë të gjatë dhe të sinqertë në Instagram.

Në një postim në kanalin e saj zyrtar, Egli ka sqaruar ndjekësit se nuk është autore e këngëve në fjalë dhe nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi to, pasi ka qenë vetëm e ftuar në bashkëpunim – ashtu si DJ Gimi-O.

“Po duhet t’ju jap një shpjegim për shkak të gjithë dashurisë dhe mbështetjes që më keni treguar, edhe pse nuk jam autore e këtyre dy këngëve dhe nuk kam të drejta mbi to,” – shkruan Egli në reagimin e saj.

Ajo shpjegon se vendimi për fshirjen e përkohshme të këngëve nga YouTube ishte marrë ekskluzivisht nga Fifi, si autore dhe pronare e projekteve. Egli thekson se nuk ka ndërhyrë në këtë vendim, sepse nuk i takonte të reagonte për materiale që nuk i përkasin.

“Kënga është hequr për dy ditë nga platforma YouTube, në vendim të autores, për arsye të saj personale. Nuk kam ndërhyrë dhe nuk kam reaguar, sepse nuk është materiali im dhe nuk kam përgjegjësi mbi të,” – vijon ajo.

Me një ton të qetë dhe njerëzor, Egli thekson se ka zgjedhur të jetë mirëkuptuese dhe të sillet si njeri para së gjithash, përpara se të jetë artiste.

“Jemi njerëz dhe pastaj artistë. Zgjedh të jem mirëkuptuese.”

Ajo konfirmon gjithashtu se këngët janë rikthyer në YouTube dhe se, për aq sa i takon si pjesëmarrëse në to, e përkrah këtë vendim.

Në lidhje me marrëdhënien e saj me Fifin, Egli shprehet se, me respekt të ndërsjellë, kanë vendosur të ndjekin rrugë të ndara në aspektin profesional, për të shmangur çdo ndikim apo keqkuptim të mëtejshëm.

“Kam vendosur me shumë respekt reciprok me Fifin të ecim përpara në drejtime të ndryshme, në mënyrë që të mos ndikojmë njëra-tjetrën në karrierë, duke qenë se të dyja i përkasim të njëjtës fushë – muzikës.”

Në fund të reagimit të saj, Egli falënderon ndjekësit për mbështetjen e vazhdueshme dhe premton se gjatë këtij muaji do të sjellë surpriza të reja dhe shumë muzikë për ta.

Të fundit