Gjatë ditës së sotme u raportua se Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore aktoren Egla Ceno në çështjen e ngritur ndaj saj nga moderatori Saimir Kodra, lidhur me akuzat për shpifje pas deklaratave të saj për ngacmim seksual. Këto deklarata Ceno i kishte bërë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 3.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Egla pohoi se nga mbrojtja e saj është informuar se gjykata e ka dënuar dhe se ajo duhet të bëjë një përgënjeshtrim në një media të caktuar. Megjithatë, sipas saj, vendimi ende nuk është zbardhur dhe nuk dihen arsyetimet zyrtare të gjykatës.
“Ky është dënimi sipas asaj që më ka thënë avokati, por vendimi ende nuk është bërë publik. Nuk dihet çfarë arsyetimesh ka gjykata apo si është formuluar,” u shpreh Egla.
Aktorja theksoi se e konsideron këtë çështje si një kauzë personale dhe shoqërore, të cilën synon ta çojë deri në fund me mjetet ligjore. Ajo rikujtoi se në Instagram ka publikuar videon me fjalën e saj të fundit përpara trupës gjykuese dhe se nuk ka asgjë për të shtuar ose hequr nga ajo deklaratë.
“Unë nuk do të tërhiqem. Edhe po të kisha dy jetë, të dyja do t’i vija në shërbim të kësaj beteje,” tha Ceno.
Sa i përket reagimeve të publikut, ajo u bëri thirrje njerëzve që e ndjekin këtë çështje të jenë të kujdesshëm në mënyrën si shprehen, si ndaj saj ashtu edhe ndaj institucioneve ligjore.
“Më vjen mirë që po flitet publikisht për këtë temë. Thjesht kërkoj kujdes dhe respekt nga ata që dinë të lexojnë mes rreshtave dhe që e respektojnë këtë kauzë,” përfundoi aktorja.






