Site logo

Ntreg

Elhaida Dani konfirmohet për të dytin vit si drejtoreshë artistike e Festivalit të Këngës

Një nga zërat më të fuqishëm dhe të vlerësuar të muzikës shqiptare, Elhaida Dani, do të udhëheqë sërish artistikisht Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH. Me një karrierë që shtrihet nga Shqipëria në Itali e deri në skenat prestigjioze të teatrit ndërkombëtar, Elhaida vjen në këtë rol me përkushtim, vizion dhe një dashuri të rrënjosur për muzikën shqiptare.

Në një deklaratë të ndjerë, artistja shprehu lidhjen e thellë personale me festivalin:
“Unë kam lindur dhe jam rritur në Festivalin e RTSH-së. E ndjej këtë si një përgjegjësi të madhe, por edhe si një thirrje shpirtërore. Do të jap maksimumin tim, jo vetëm për këtë edicion, por për çdo festival që do të vijë.”

Me synimin për të ndërtuar një ekip të fuqishëm dhe një platformë që respekton talentin dhe muzikën e mirëfilltë, Elhaida premton një festival dinjitoz që përfaqëson me krenari artin shqiptar.

Elhaida Dani është një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim. Karriera e saj nisi në vitin 2009 me triumfin në “Star Akademi”, për të shpërthyer më pas me fitoren në “The Voice of Italy” në 2013, duke fituar zemrat e publikut italian. Në vitin 2014, ajo fitoi Festivalin e RTSH-së dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision me këngën “I’m Alive”.

Një tjetër gur themeli në karrierën e saj ishte interpretimi i rolit të Esmeraldës në muzikalin legjendar “Notre Dame de Paris”, duke e bërë një nga të paktat shqiptare me sukses në teatrin muzikor ndërkombëtar.

Të fundit