Kanë kaluar tre vite që nga përfundimi i sezonit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, por Efi Dhedhes mbetet ende një nga emrat më të përfolur të këtij reality show që tronditi publikun shqiptar.
Në një intervistë të fundit, ish-banorja e njohur ka reflektuar për rrugëtimin e saj në shtëpinë më të famshme në vend, për marrëdhëniet që krijoi aty dhe për komentet që, sipas saj, nuk kanë të ndalur.
“Ka akoma njerëz që më komentojnë për Luizin. Jo për Oltën, por për Luizin më shumë. Ka nga ata që kanë mbetur para tre vitesh. Unë nuk kam mllef për askënd, gjithçka ka qenë pjesë e një periudhe shumë të bukur që nuk fshihet dot,” – është shprehur Efi me sinqeritet.
Efi tregoi se përvoja në “Big Brother” e ka ndihmuar të forcohet emocionalisht dhe të mos ndikohet më nga fjalët e të tjerëve.
“Ajo periudhë më ka bërë më e fortë. Kam mësuar të mos reagoj ndaj çdo komenti dhe të mos lejoj askënd të më ulë shpirtin. Çdo përvojë, edhe ajo më e vështira, më ka bërë më e ndërgjegjshme për veten,” – shtoi ajo.
Sot, Efi e sheh gjithë eksperiencën si një kapitull që i solli njohje, rritje dhe pjekuri, duke pranuar se çdo raport, edhe ai që dikur dukej konfliktual, sot për të është thjesht një kujtim i bukur.
“S’kam mllef për njeri. Çdo gjë që ka ndodhur aty, ka qenë pjesë e një përvoje që sot e shoh me buzëqeshje,” – përfundoi Efi.






