Në një episod plot humor të “Portokalli”, aktorët Albana Perhati, Kejdi Gishto, Juxhin Plovishti dhe Erdit Asllanaj sollën moment të paharrueshëm në rubrikën “Telefonata Kurth”.
Këtë herë, “viktima” ishte moderatorja Erjola Doçi. Albana Perhati, në rolin e një zyrtareje të Kryeministrisë, i propozoi Erjolës të bëhej fytyra e re e ministres së përfytyruar “Diella” – një figurë krijuar me inteligjencë artificiale.
“Jam shumë entuziaste që të jesh ti imazhi i ministres Diella”, tha Albana, duke shtuar se kryeministri dëshironte “një risi, nga veriu”.
E befasuar, Erjola reagoi me humor, duke thënë se një ofertë të tillë do e pranonte vetëm nëse do t’ia thoshte vetë kryeministri. Situatën e përshkallëzoi Kejdi Gishto me imitimin e tij të njohur të Edi Ramës, duke sjellë qeshje të pafund në studio.
Në fund, situata përfundoi në një moment komik që la audiencën me buzëqeshje dhe me pritshmëri për sezonin e ri të “Portokalli”.






