Reperi i njohur Feronit Shabani, i njohur për publikun si Fero, ka reaguar zyrtarisht pas publikimit në media të lajmit për ngritjen e një aktakuze për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje ndaj tij.
Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë në Instagram, nënshkruar nga avokatja Bedrie Berisha Rexhepi, ai ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si është trajtuar rasti nga mediat, duke akuzuar disa prej tyre për shkelje të ligjit dhe ndikim të padrejtë në opinionin publik.
“Informatat e publikuara përmbajnë elementë të qartë të shkeljes së ligjit dhe procedurës penale”, thuhet në deklaratë.
Sipas palës mbrojtëse, seanca gjyqësore e mbajtur më 25 qershor ka qenë e mbyllur për publikun, dhe shpërndarja e çdo dokumenti nga ajo seancë përbën cenim të rëndë të një procesi të drejtë.
Deklarata thekson se aktakuza ndaj Feros nuk ka marrë ende formë të prerë, dhe publikimi i saj i parakohshëm është i papranueshëm dhe i motivuar nga “interesa që shkojnë përtej drejtësisë”.
Në të njëjtën kohë, thuhet se edhe ish-bashkëshortja e tij, Arbenita Ismajli, është objekt hetimi nga Prokuroria në Gjilan, me aktvendim për fillimin e procedurave penale.
Në përmbyllje, Fero shprehet me tone emocionale për përpjekjet e tij për të rifituar kontaktin me vajzën:
“Zëri i tij nuk do të heshtë. Ai do të vazhdojë të kërkojë të bijën derisa ajo derë të hapet, derisa ai përqafim të ndodhë. Drejtësia ende ka zë dhe zemër në këtë vend.”
Aktualisht, rasti po trajtohet në instancat gjyqësore, ndërkohë që opinion publik është thellësisht i ndarë mes atyre që mbështesin versionin e reperit dhe atyre që qëndrojnë në krah të akuzave.






