Këngëtarja e njohur Filloreta Raçi – Fifi ka folur hapur në një intervistë për Top Albania Radio, duke rrëfyer sfidat e saj në muzikë pas lindjes së fëmijës.
Fifi pranoi se që prej periudhës kur u bë nënë, gjendja me koncertet nuk ka qenë sipas pritshmërive.
“Nuk jam shumë mirë me koncertet, nuk e di çfarë ka ndodhur. Ndoshta është edhe ky tranzicion prej një gruaje artiste që kam qenë e përqendruar 100% në muzikë dhe më pas u bëra nënë. Njerëzit automatikisht mendojnë se nuk do të këndosh për disa vite, ndërkohë që unë kam qenë aktive,” u shpreh ajo.
Megjithatë, këngëtarja tha se është në përgatitje për një rikthim të fuqishëm në skenë vitin e ardhshëm, me koncerte recitale që do të jenë të fokusuara tek muzika dhe publiku.
“Epoka e klubeve të natës ka marrë fund. Po vjen koha e koncerteve të mirëfillta dhe unë jam duke u përgatitur për këtë rikthim,” tha Fifi, duke lënë të hapur mundësinë që koncerti i parë të mbahet në Tiranë ose në Prishtinë.
Ajo paralajmëroi se fansat do të shohin një Fifi më energjike dhe më të angazhuar se kurrë, me projekte që synojnë ta rikthejnë fuqishëm në skenën shqiptare dhe rajonale.
