Këngëtarja Fifi ka shpërthyer publikisht pas valës së komenteve fyese dhe mallkimeve që ka marrë në rrjetet sociale pas publikimit të këngës së saj në festival. E ftuar në podcastin e Dalina Buzit, artistja ka rrëfyer se sulmet nuk janë kufizuar vetëm ndaj saj, por kanë prekur edhe djalin e saj, një situatë që e ka tronditur thellë.
Fifi tregon se gjithçka ka nisur menjëherë pas publikimit të këngës së festivalit, duke theksuar se para kësaj periudhe nuk kishte marrë asnjë koment negativ që lidhej me fëmijën e saj.
“Që nga dita kur doli kënga e festivalit, më kanë ardhur komente duke më mallkuar djalin,” është shprehur ajo. Sipas këngëtares, brenda vetëm një jave ka marrë rreth 300 komente, nga të cilat afro 200 kanë qenë mallkime të drejtpërdrejta për djalin e saj.
Artistja ka ngritur dyshime se kjo valë reagimesh mund të jetë një sulm i organizuar, duke theksuar se kritikat ndaj saj i pranon, por përfshirja e fëmijës është e papranueshme. “Për mua le të vazhdojnë, por çfarë u ka bërë djali im? Ai nuk ka asnjë lidhje me këtë,” ka theksuar Fifi, duke bërë thirrje që fëmijët të mos përfshihen në sulme apo debate publike.






