Alis Kallaçi ka folur për herë të parë pas fitores së madhe në Festivalin e Këngës 64, duke ndarë emocionet dhe përjetimet e tij në emisionin “Postfestival” në RTSH.
Ndryshe nga pritshmëritë për deklarata formale pas fitores, Alis u shfaq i sinqertë dhe i mbushur me emocione, duke pranuar se ende nuk i besohet suksesi.
“Jam njeriu më i lumtur në botë. Nuk më besohet akoma, sinqerisht. Më është bërë ëndrra realitet dhe përqafimi i publikut ishte qershia mbi tortë”, u shpreh ai.
Alis foli edhe për mënyrën se si u prit mesazhi i këngës fituese “Nan”, duke theksuar se përtej energjisë, ishte pikërisht pesha emocionale ajo që preku publikun.
“Vetë titulli mbante një peshë shumë të madhe. Sado e vogël të jetë largësia, dhimbja mbetet e njëjtë. Mendoj që njerëzit janë lidhur shumë me këtë mesazh”, tha këngëtari.
Alis u shpall fitues i Festivalit të Këngës 64, ndërsa në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me “Ta kam fal” dhe në vendin e tretë Sheila me “Zemra e tokës”. Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë, më 12, 14 dhe 16 maj.






