Moderatorja e dashur për publikun shqiptar, Fjoralba Ponari, është rikthyer në ekranin e Top Channel pas një mungese 1-vjeçare. E ftuar në emisionin “She’s on Top”, ajo surprizoi të gjithë me një hyrje të veçantë artistike, duke kënduar “Historia De Un Amor” dhe duke marrë duartrokitje të forta nga publiku dhe konkurrentet.
Pas performancës, Fjoralba u pyet për eksperiencën e saj në fushën e aktrimit, ku u shpreh se “Portokallia” ka qenë një shkollë e madhe për të, si në reagime të shpejta, ashtu edhe në përshtatje skenike.
Por momenti më i komentuar i intervistës ishte kur ajo u pyet për Kiarën Tito dhe Nevina Shtyllën, dy moderatoret që këtë sezon mbajtën drejtimin e “Portokalli”.
“Jam kurioze si e ke parë këtë sezon, Nevina Shtyllën dhe Kiara Titon?”, e pyeti moderatorja Argjira Spanca.
Fjoralba dha një përgjigje të matur dhe mbështetëse:
“Puna ka punë sa t’ia mësosh punës. Që do të thotë është një proces që nuk mund t’a shmangë askush, sidomos kur merr përsipër një projekt të ri. Ajo që vlen është se rritja e tyre ka qenë prezente dhe graduale. Vajzat e kanë dashur shumë këtë projekt, dhe për këtë jam jashtëzakonisht shumë e lumtur.”
Ajo konfirmoi se i ka uruar personalisht që në fillim të sezonit dhe theksoi se sukseset nuk vijnë menjëherë, por me përkushtim dhe dashuri për punën.
Ky reagim i Fjoralbës është pritur me pozitivitet në rrjete sociale, ku shumë ndjekës e kanë vlerësuar tonin mbështetës dhe profesional të saj.






