Pas viteve të tëra mungesë, fansat menduan se më në fund do ta shihnin Flor Mumajesin sërish në skenë. Por duket se rikthimi i kantautorit mbetet ende i pasigurt. Koncerti që pritej të shënonte rikthimin e tij në publik është anuluar, ndërsa artisti nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar.
Burime pranë tij tregojnë se Flori ka përgatitur disa këngë të reja dhe madje ka punuar edhe në versione të ribëra të hiteve të vjetra, përfshirë “Pa jetë”. Megjithatë, ndonëse materiali artistik është gati, vetë ai nuk është ende i vendosur për t’u ngjitur në skenë.
Prej disa vitesh, Mumajesi është shkëputur nga jeta publike dhe jeton në Kosovë, larg vëmendjes mediatike dhe rrjeteve sociale. Kolegët e tij e kanë ftuar shpesh të rikthehet, por duket se periudha e izolimit ka ndikuar në raportet e tij me miqtë dhe bashkëpunëtorët e dikurshëm.
Një ndër ta është këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila së fundmi ka treguar se ka tentuar të kontaktojë me Florin për një rikthim muzikor, por pa sukses.
“I kam shkruar para dy muajsh – ‘Do kthehesh se na ke lënë pa këngë!’ – por nuk më është përgjigjur ende,” tha ajo me humor, duke shtuar se nuk do të publikojë këngë të re pa Florin:
“Vetëm ai di t’i bëjë këngët që kanë shpirtin e brezit tonë.”
Deklarata e saj ka rindezur diskutimet për gjendjen dhe planet e kantautorit, ndërsa duket se rikthimi i tij në skenë mund të vonohet më shumë sesa pritej.






