Françeska Murati, ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 3”, duket se po hap një kapitull të ri në jetën e saj sentimentale. E njohur për diskrecionin që tregoi gjatë gjithë eksperiencës në reality show, Françeska ka zgjedhur sërish të flasë me nënkuptime, por mjaftueshëm sa për të ngjallur kureshtjen e publikut.
Me ardhjen e muajit shkurt, ajo ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi ku shfaqet në makinë, e buzëqeshur dhe me një buqetë të madhe trëndafilash rozë në sediljen pranë saj. Edhe pse nuk ka zbuluar se kush fshihet pas këtij gjesti romantik, mesazhi që shoqëron postimin lë të kuptohet qartë se bëhet fjalë për një fillim të ri në jetën e saj personale.
“Kur një derë mbyllet, një tjetër derë më e mirë hapet. Ndjehem kaq e bekuar sot që universi më ka sjellë gjithçka që mund të kisha dëshiruar ndonjëherë dhe më shumë. Ju uroj të gjithëve një fillim të bukur të muajit,” shkruan Françeska, duke ndezur menjëherë spekulimet për një romancë të re.
Gjatë qëndrimit në shtëpinë e “BBVIP”, ajo shmangu çdo deklaratë të drejtpërdrejtë për martesën e saj, duke ruajtur privatësinë familjare. Megjithatë, pas përfundimit të spektaklit, veprime të ndryshme – përfshirë shpërnguljen në Tiranë me djalin e saj dhe deklarata e bujshme “ai nuk do të gjejë kurrë më mirë se unë” – u interpretuan gjerësisht si konfirmim i ndarjes.
Pa hyrë në detaje, Françeska Murati duket se po e lë pas të shkuarën dhe po shijon një periudhë më të qetë dhe më të lumtur, këtë herë duke mos e fshehur buzëqeshjen që flet më shumë se fjalët.






