Gresa Gashi flet pas Big Brother VIP Kosova: “Po, jam ndier e dëshpëruar që nuk isha në finale”
Gresa Gashi, ish-pjesëmarrëse në edicionin e tretë të Big Brother VIP Kosova, ishte së fundmi e ftuar në emisionin “The Elite Way”, ku zhvilloi një intervistë të hapur me moderatoren Elita Rudi. Një nga temat kryesore të bisedës ishte përjetimi i saj pas përfundimit të rrugëtimit në spektakël, veçanërisht nëse ishte ndjerë e zhgënjyer për mungesën në finalen e madhe.
Gresa tregoi hapur ndjenjat e saj, duke pranuar: “Po, jam dëshpëruar”. Megjithatë, ajo shtoi se pavarësisht zhgënjimit fillestar, beson se gjithçka ka ndodhur për të mirën e saj.
Ajo vlerësoi reagimin e publikut pas daljes së saj nga formati, që sipas saj u konsiderua i padrejtë. “Nuk kam dashur të cilësohem si viktimë, por në atë rast dola,” u shpreh aktorja.
Gresa theksoi se ndiente se e meritonte një vend në finale, jo vetëm si ndjesi personale, por si bindje që vinte nga përkushtimi gjatë garës dhe përkrahja që kishte marrë nga publiku.
E pyetur nëse do të zëvendësonte ndonjë nga finalistët për të qenë vetë në finale, ajo u shpreh qartë: “Nuk do e hiqja askënd.”






