Sot mbush 48 vjeç një nga figurat më të dalluara të jetës publike në Shqipëri – Grida Duma.
Fillimisht e njohur si politikane, Duma ka lënë gjurmë për vite me radhë në skenën politike shqiptare, duke u evidentuar për komunikimin e saj të qartë, qëndrimet e palëkundura dhe aftësinë për të mbrojtur me dinjitet dhe guxim bindjet e saj. Për më shumë se një dekadë, ajo ka qenë një nga zërat më të fortë të opozitës, si deputete e Partisë Demokratike dhe një prej figurave më të spikatura femërore në debatin publik.
Në vitin 2022, ajo vendosi të ndërmerrte një drejtim të ri në karrierën e saj, duke u larguar nga politika aktive për t’u përqendruar në gazetari dhe media. Aktualisht, Duma është imazh i emisionit investigativ “Top Story” në Top Channel – një program që ka fituar vëmendjen e publikut për trajtimin serioz të temave me peshë që lidhen me politikën, krimin, ekonominë dhe problematika të tjera sociale.
Nën drejtimin e saj, “Top Story” është ripozicionuar si një nga emisionet më të forta në ekranin shqiptar, duke dëshmuar se ndikimi i Grida Dumës mbetet i rëndësishëm, pavarësisht rolit apo pozicionit që mban.
Nga foltorja e parlamentit deri te studioja televizive, ajo ka treguar se eleganca, mendimi kritik dhe forca e karakterit mund të ecin bashkë në mënyrë të natyrshme.
Gëzuar ditëlindjen, Grida! Urojmë shëndet, suksese dhe vazhdimësi në çdo hap të jetës dhe karrierës suaj.






