Një mbrëmje plot emocione ka qenë ajo e së shtunës për Gjestin, fituesin e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”, i cili performoi përpara një audience të madhe në Zvicër. Artisti pejan nuk i përmbajti dot emocionet gjatë koncertit dhe, në një moment prekës, shpërtheu në lot para publikut.
Teksa fshinte lotët, Gjesti vazhdoi me profesionalizëm performancën, duke interpretuar këngën e radhës, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje të zjarrta dhe mbështetje të madhe. Salla gumëzhinte nga emocionet, duke dëshmuar lidhjen e fortë që artisti ka krijuar me fansat e tij.
Pjesëmarrja në “Big Brother VIP” e ka katapultuar Gjestin në zemrat e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në diasporë, ku përkrahja për të ka qenë e jashtëzakonshme.
Pas daljes nga formati, ai vazhdon të jetë shumë aktiv në skenën muzikore, me projekte të reja dhe mbrëmje muzikore që e mbajnë vazhdimisht pranë publikut. Performanca në Zvicër ishte një dëshmi tjetër e suksesit të tij në rritje dhe e ndjenjës së thellë që ndan me ata që e mbështesin.

