Romina, bashkëshortja e këngëtarit Erik Lloshi, ka folur për herë të parë publikisht në emisionin “Fan Club”, duke sqaruar aludimet e fundit se marrëdhënia mes tyre është krisur për shkak të pjesëmarrjes së Erikut në “Big Brother VIP”.
Ajo pranoi se nuk ka qenë dakord me vendimin e këngëtarit për t’u futur në format, duke theksuar se gjithmonë ka dashur ta mbajë jetën personale larg vëmendjes publike. Sipas saj, natyra e Erikut dhe temperamenti i tij kanë qenë arsyeja kryesore pse ajo kishte kundërshtuar pjesëmarrjen në BBV.
“Unë nuk kam qenë kurrë dakord që Eriku të futej në Big Brother. Nuk e kam dashur këtë ekspozim, pasi kam preferuar që jeta personale të mbetet private,” u shpreh Romina.
Ajo shtoi se Eriku është një person gjaknxehtë dhe me temperament të fortë, por sipas saj, ai nuk është aq agresiv sa paraqitet shpesh në ekran. Romina tregoi gjithashtu se këngëtari kishte marrë ftesa edhe më parë për të qenë pjesë e formatit, por këtë herë nuk kishte marrë miratimin e saj.
“I thashë se nëse do të hynte, do të merrja valixhet dhe do të largohesha. Megjithatë, sot e mbështes plotësisht, edhe pse ka disa sjellje të tij që nuk i përkrah,” përfundoi ajo.






