Disa prej hiteve më të mëdha të këngëtarit pejan Gjesti, si “Katile”, “Idiote”, “U halite” dhe “Pandemia”, nuk janë më të disponueshme në YouTube. Këngët që dikur numëronin miliona klikime dhe dëgjoheshin në çdo klub apo makinë, janë zhdukur pa asnjë paralajmërim.
Fansat kanë vërshuar rrjetet sociale me pyetje, duke u përpjekur të kuptojnë arsyen e mungesës së tyre.
Burime për Telegrafin bëjnë me dije se kanali është hakuar dhe se aktualisht po punohet për rikthimin e materialeve muzikore në platformë. Projektet e përmendura ishin të publikuara nën menaxhimin e mëparshëm të Samed Poterës.
Nuk ka ende informacion të qartë për autorin ose arsyet e sulmit, por ekipi i Gjestit është në proces të rikuperimit të plotë të përmbajtjes.
Pavarësisht kësaj goditjeje teknike, Gjesti po vijon punën për projekte të reja muzikore dhe është i angazhuar me performanca live në koncerte të ndryshme.






