Juliana Nura ka qenë e ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka sqaruar zhurmën që u krijua pas lajmit se kishte siguruar bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi përmes presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit e mohoi se e njeh Julianën, çka ngjalli reagime të shumta në rrjete sociale.
Në intervistën e saj, Juliana sqaroi se biletat i kishte siguruar si në mënyrë online, ashtu edhe nëpërmjet kontakteve personale, gjë që sipas saj është e zakonshme për figurat publike dhe gazetarët:
“Njerëzit e Armandos ne i kemi të njohur dhe i kam bërë një telefonatë. Kam marrë dhe bileta online, për shkak të tifozave kuqezi dhe Plisat, që të mos bëhej rrëmujë. Sepse është një lojë shumë e tensionuar, me Serbinë, e dimë si është historia jonë.”
Ajo shtoi se është e pakuptueshme pse u bë kaq shumë zhurmë për këtë çështje:
“Ne që jemi media, që jemi në televizion, i marrim biletat sepse është diçka që na takon. Nuk e kuptoj pse u bë kaq e madhe.”
E pyetur nëse e njeh personalisht Armand Dukën, Juliana tha se janë përshëndetur në ambientet e stadiumit “Air Albania”, por marrëdhënia mes tyre nuk shkon përtej një kontakti formal:
“Kur kam qenë në Tiranë, në ‘Air Albania’, e kam hasur disa herë, i kam dhënë dorën, por kaq.”
Lidhur me deklaratën e Dukës se nuk e njeh, ajo u tregua e rezervuar, duke lënë të kuptohet se mund të ketë qenë një qëndrim për të ruajtur imazhin e tij publik:
“Nuk e kam parë këtë, përderisa nuk e kam parë nuk di çfarë të them. Por për shkak imazhi… unë mendoj se është privatizuar ‘Air Albania’, është privatizuar Kombëtarja prej tij. Kështu e kuptoj, që është një biznes i tij dhe nuk do që ta dëmtojë duke thënë që i ka dërguar bileta.”
Në fund të intervistës, Juliana ngriti shqetësimin për mungesën e hapësirës në stadium për tifozët e vërtetë:
“Nuk është e drejtë të lësh tifozat kuqezi dhe Plisat jashtë ‘Air Albania’.”
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur mënyra e shpërndarjes së biletave për ndeshjet e rëndësishme të Kombëtares po diskutohet gjerësisht në publik dhe media.






