Reperi i njohur Getinjo ka lëshuar një reagim të fortë në “Instagram Story”, duke kritikuar ashpër gjendjen aktuale të muzikës shqiptare.
Ai u shpreh i zhgënjyer me nivelin e sotëm të skenës, duke e përshkruar si një “tokë që nuk nxjerr as fruta e as lule”, për të nënkuptuar mungesën e krijimtarisë dhe përmbajtjes cilësore.
Getinjo theksoi se kjo është një periudhë e vështirë për tekstshkruesit dhe se publiku ka nevojë më shumë se kurrë për tekste me kuptim e dije (knowledge).
Pavarësisht se pranoi që fitimet nga klubet i sigurojnë të ardhura të mira, reperi zbuloi se tashmë synon të përqendrohet në këngë me mesazhe të forta, të mençura dhe reale.
Ky reagim erdhi pasi ai publikoi disa këngë të papublikuara, që u pritën me shumë reagime pozitive nga ndjekësit.
Getinjo shtoi se vlerësimi më i sinqertë i ka ardhur nga njerëzit që nuk i njeh personalisht, duke e quajtur këtë mbështetje “befasuese dhe frymëzuese”.
Në fund, ai theksoi se nuk ka asgjë kundër reperëve të tjerë, duke u shprehur se “ka bukë për krejt” – një mënyrë për të treguar se në skenën shqiptare ka vend për të gjithë artistët që punojnë me pasion.
Fansat tani presin të shohin nëse kjo deklaratë do të shënojë një kthesë në stilin e tij muzikor dhe në projektet që pritet t’i publikojë së shpejti.






