Raporti mes Selin dhe Mirit vijon të jetë në qendër të vëmendjes në Big Brother VIP Albania, duke nxitur diskutime dhe interpretime të ndryshme si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj.
Së fundmi, në studio, opinionistët Monika Kryemadhi dhe Arbër Hajdari ndanë mendime të kundërta lidhur me natyrën e marrëdhënies mes dy banorëve. Arbër Hajdari shprehu bindjen se mes tyre kanë lindur ndjenja, ndërsa Monika Kryemadhi e sheh raportin thjesht si një miqësi dhe aleancë loje.
Sipas Hajdarit, është e kuptueshme që nga ana e Selin, si një vajzë e re, të lindin ndjenja, por jo nga ana e Mirit. Ai theksoi se, në dijeninë e tij, Miri është i martuar dhe se ka tejkaluar kufijtë në këtë marrëdhënie.
“Kam përshtypjen se kanë lindur ndjenja. Është normale që nga një vajzë e re të lindin ndjenja, por nuk e shoh aspak normale nga ana e Mirit, duke qenë se ka një martesë. Mendoj se e ka tepruar dhe duhet të ishte më i kujdesshëm,” u shpreh Hajdari, duke shtuar se marrëdhënia mund të ketë nisur si aleancë loje, por me kalimin e kohës ka marrë një tjetër drejtim.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi e mbrojti Mirin, duke e cilësuar si një njeri xhentil me vajzat në përgjithësi. Ajo tha se nuk dëshiron ta besojë se bëhet fjalë për diçka më shumë sesa një raport korrekt dhe miqësor.
Debati mes opinionistëve vijoi me tone të forta, duke ndarë studion në dy kampe dhe duke shtuar edhe më shumë kureshtjen e publikut për atë që realisht po ndodh mes Selin dhe Mirit brenda shtëpisë së BBVA.






