Një bisedë e qetë, por e mbushur me nënkuptime, ka ndodhur mes Selin dhe Mirit pas Prime-it të së shtunës në shtëpinë e Big Brother VIP. Gjithçka lidhet me momentin kur Miri u përball me “Kutinë e Pandorës”, ku përveç takimit emocionues me vajzën e tij, u njoh edhe me deklaratën që babai i Selin kishte bërë për të disa ditë më parë në emisionin “Shqipëria Live”.
Pavarësisht peshës emocionale të informacionit, Miri vendosi të mos e ndajë me asnjë prej banorëve atë që kishte mësuar, duke e mbajtur për vete.
Kjo sjellje nuk i shpëtoi vëmendjes së Selin, e cila iu afrua për ta pyetur nëse ai kishte ndërmend ta ndante me dikë tjetër përmbajtjen e Kutisë së Pandorës dhe nëse kjo situatë e kishte mërzitur.
Gjatë diskutimit, Miri u shpreh se informacionin mund t’ia tregojë kujt të dojë ose të mos ia tregojë askujt, duke theksuar se ajo çfarë kishte parë ishte personale. Ai gjithashtu pranoi se ishte i mërzitur, gjë që Selin e kishte kuptuar.
Në një moment të bisedës, Selin e pyeti drejtpërdrejt nëse kjo çështje e kishte prekur emocionalisht, ndërsa përgjigjja e Mirit ishte domethënëse:
“Ke filluar të më njohësh,” i tha ai, duke lënë të kuptohet se ajo tashmë arrin të lexojë gjendjen e tij.
Dialogu mes tyre tregoi një raport të ndërtuar mbi vëzhgim dhe ndjeshmëri, por edhe një distancë emocionale nga ana e Mirit, i cili kërkoi më shumë veprime dhe më pak hamendësime.
Kujtojmë se Selin dhe Miri ishin ndër banorët e parë që u afruan me njëri-tjetrin në shtëpi, pasi Kristi i vendosi që në fillim të flinin së bashku, duke krijuar kështu një lidhje të veçantë që vijon të tërheqë vëmendjen e publikut.






