Kiara Tito rrëfen periudhën më të errët: “Big Brother më shpëtoi, ndryshe do isha zhdukur nga publiku”

Moderatorja e njohur shqiptare, Kiara Tito, është rrëfyer së fundmi për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, pak para se të merrte pjesë në reality show-n më të ndjekur në Shqipëri, Big Brother VIP Albania. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo tregoi se ishte në një gjendje ku nuk e njihte më veten dhe kishte humbur motivimin për të vazhduar në botën e televizionit.


“Kam qenë në një pikë ku nuk dija më çfarë doja nga jeta. Ishte një periudhë e pasigurisë, e heshtjes, dhe e tërheqjes nga çdo gjë publike”, tha ajo me ndjeshmëri. Për Kiarën, vendimi për të hyrë në shtëpinë më të famshme në vend nuk ishte thjesht një hap në karrierë, por një moment që i ndryshoi jetën në çdo aspekt.


Ajo u shpreh se nëse nuk do të kishte pranuar të bëhej pjesë e këtij formati, sot nuk do të kishte jetën që gëzon – duke përfshirë dashurinë me këngëtarin Luiz Ejlli dhe ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Lunës. “Big Brother më ndryshoi totalisht. Më dha një drejtim të ri, një kuptim të ri dhe një familje që s’e kisha imagjinuar”, u shpreh Kiara.


Moderatorja pranoi se në atë periudhë kishte menduar të largohej plotësisht nga publiku. “Nuk dilja më, nuk doja të shfaqesha, nuk doja të kisha më lidhje me televizionin. Nuk mendoj se do ta kisha takuar Luizin ndonjëherë në rrethana normale. Big Brother ishte një derë që më hapi gjithçka që kam sot.”
Në fund, Kiara ndau një mesazh që pasqyron kthesën që ajo përjetoi: “Fati luan rolin e vet, por jemi ne ata që vendosim si do të ecim përpara. Në një moment, duhet të zgjedhësh – të dorëzohesh apo të ndryshosh gjithçka.”

Të fundit