Rritja e çmimeve të naftës pas përshkallëzimit të konfliktit Izrael-Iran pritet të ndikoje edhe në Shqipëri. Ekspertët paralajmërojnë se brenda 3–4 ditëve, çmimi i karburantit mund të rritet 15–20 lekë për litër, duke çuar naftën deri në 185–190 lekë për litër në pikat e karburanteve.
Furnizuesit dhe kompanitë e transportit kanë njoftuar se tashmë po paguajnë deri 10% më shumë për blerjen e naftës, ndërsa çmimet ndërkombëtare arritën 79 USD për fuçi nga 62–65 USD para nisjes së sulmeve. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve paralajmërojnë se çdo zgjerim i konfliktit mund ta rrisë çmimin deri në 110 USD për fuçi, gjë që do reflektohet menjëherë te konsumatori vendas.
Përveç karburantit, rritja e çmimit të naftës pritet të ndikojë edhe tek tarifat e transportit të mallrave, pasi karburanti përbën deri 70% të kostove. Kompanitë e transportit tregojnë se çdo shtrenjtim i naftës do të reflektohet direkt në kostot për mallrat që vijnë nga rajoni dhe BE-ja, duke e bërë transportin më të shtrenjtë për bizneset dhe konsumatorët.
