Festivali i RTSH, që pritet të nisë shumë shpejt, ka shpërthyer në një tjetër “skene” para skenës – këtë herë, jo me muzikë, por me debatet për zgjedhjen e moderatorëve. Ndërsa publiku është në pritje të emrave të rinj, diskutimet në korridoret e televizionit publik janë ndezur.
Sipas burimeve Këshilli Drejtues i RTSH ka një preferencë të qartë për Flori Gjinin dhe Fjodora Fjorën si moderatori dhe moderatorja të festivalit. Të dy janë pjesë e stafit të RTSH dhe një zgjedhje e tillë do të ulte kostot, në një periudhë kur televizioni publik po kalon vështirësi financiare. Megjithatë, ky propozim nuk është mirëpritur njësoj nga bordi i Festivalit, i cili ka disa mendime të ndryshme.
Nga ana tjetër, Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, ka shprehur dëshirën e saj për të sjellë Salsano Rrapin në skenë, duke besuar se ai do t’i japë festivalit energjinë e humorit dhe spontanitetit që ka nevojë. Sipas burimeve, Salsano ka marrë edhe miratimin e drejtuesve të TCH për të marrë pjesë në event.
Po ashtu, ka pasur diskutime edhe për emrin që do të prezantojë krahu i tij. Fillimisht ishte menduar Jondia Shehu, por për shkak të dëshirës për të sjellë një frymë më të re këtë vit, ka dalë në tavolinë edhe emri i Arilena Arës. Megjithatë, pjesëmarrja e saj mbetet ende e paqartë, pasi kërkesat financiare mund të jenë të papërballueshme për RTSH, që kohët e fundit është shpallur në faliment.
Në këtë situatë të ngarkuar mes dëshirave artistike dhe realiteteve financiare, Festivali i RTSH mbetet ende në udhëkryq. Vendimi përfundimtar pritet të merret shumë shpejt, ndërsa publiku vazhdon të spekullojë se cilët do të jenë fytyrat që do të hapin netët magjike të festivalit
