Ligji i ri për faljen e detyrimeve, në fuqi që nga fillimi i këtij viti, u jep mundësi bizneseve të çlirohen nga taksat, tarifat vendore dhe gjobat e papaguara. Por cilët janë përfituesit?
Sipas ligjit, përfitojnë të gjitha subjektet e regjistruara – aktive, pasive apo të çregjistruara – me detyrime ndaj administratës vendore.
Për periudhën 2015–2019:
- Falet 50% e detyrimit, nëse pjesa tjetër paguhet brenda 30 qershorit 2026.
- Ose falet 25%, nëse 75% paguhet brenda 31 dhjetorit 2026.
Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Për vitet 2020–2024, falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat nëse detyrimet paguhen brenda vitit 2026, ndërsa çdo detyrim para vitit 2014 fshihet automatikisht.
Ligji nuk zbatohet për subjektet e dënuara me vendim gjyqësor të formës së prerë apo që janë në hetim për vepra tatimore ose doganore.
Në skemën e faljes përfshihen taksa si: taksa mbi ndërtesën, truallin, tokën bujqësore, taksa e fjetjes në hotel, tarifa e pastrimit, tarifa për shfrytëzimin e hapësirave publike dhe të tjera detyrime vendore.
Brenda 31 janarit 2027, institucionet do të publikojnë listën e 3 mijë subjekteve që kanë përfituar fshirjen më të madhe të detyrimeve – përfshirë çdo biznes me të paktën 5 milionë lekë të falura.
Pyetja mbetet: a është kjo një lehtësi për biznesin, apo një mundësi e dytë për ata që kanë vonuar pagesat ndër vite?
