Shtëpia e “Big Brother VIP Albania” ka sjellë sërish momente plot humor dhe spontaneitet, këtë herë falë një iniciative të Selin, e cila improvizoi në mënyrë kreative hapjen e famshme të “Kutisë së Pandorës”. Me një skenar të sajuar prej saj, banorja arriti të shkaktojë të qeshura dhe surprizë te pjesa tjetër e shtëpisë.
Në interpretimin e saj, Selin iu drejtua moderatorit Ledion sikur situata të ishte reale, duke lexuar “zarfe” imagjinare dhe duke nisur me një shpërblim për veten: një udhëtim surprizë për të dhe partnerin e saj. Por sipas “rregullave” të kutisë së krijuar prej saj, çdo shpërblim shoqërohej edhe me një pasojë.
Në vijim të lojës së improvizuar, ajo deklaroi se duhej të dërgonte në nominim kokë më kokë dy nga banorët që pëlqen më pak në shtëpi. Mes batutave dhe komenteve të saj, Selin përmendi dëshirën për të treguar forcën dhe karakterin e saj në lojë, përpara se të shpallte emrat e zgjedhur: Rogerti dhe Miri.
Momenti u prit me reagime dhe të qeshura nga banorët, duke u kthyer menjëherë në një nga episodet më argëtuese të mbrëmjes në shtëpinë më të famshme në vend.






