Është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës dhe një nga figurat e njohura të jetës publike në Shqipëri. Lame ndërroi jetë në Mynih, ku kishte udhëtuar për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, sipas raportimeve të mediave.
Gjatë karrierës së tij, ai drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI) dhe mbajti poste të ndryshme shtetërore. Aktiv në radhët e Partisë Socialiste, Lame njihej për angazhimin e tij si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare.
Ai ishte gjithashtu një zë i rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, duke kontribuar me përkushtim në ruajtjen e vlerave historike dhe identitetit kombëtar. Ndarja e tij nga jeta përfaqëson një humbje të ndjeshme për botën akademike, institucionale dhe kulturore shqiptare.
