Nga një koment në YouTube te Eurovisioni, historia e Shkodrës Elektronike

Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Eurovision 2025 me këngën “Zjerm”, dyshja e grupit “Shkodra Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, ishin të ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ku ndanë detaje të rralla nga rrugëtimi i tyre muzikor dhe mënyra e veçantë si janë njohur.

Beatriçe zbuloi se njohja me Kolën nisi në mënyrë krejt të papritur, përmes internetit. “E kam zbuluar Kolën rastësisht në YouTube, ku kishte postuar disa video me grupin e tij. I dërgova një mesazh falënderues për atë që po bënte. Ishte vërtet një surprizë e madhe të zbuloja një artist alternativ shkodran në atë kohë,” tregoi ajo, duke shtuar se kjo ndodhi rreth vitit 2014-2015.

Nga ana tjetër, Kola pranoi se nuk kishte një projekt konkret në atë kohë, por që energjia dhe zëri i Beatriçes e frymëzuan. “Më pëlqeu menjëherë si këndonte dhe si sillej në skenë. Kur mbarova angazhimet me grupet e tjera, u fokusova te ky projekt. Pas vetëm dy ditësh provash, filluam menjëherë të japim koncerte së bashku.”

Dyshja theksoi se autenticiteti në muzikën e tyre nuk është qëllim në vetvete, por rrjedhojë natyrale e asaj që janë. “Nuk dimë ta bëjmë ndryshe. Bëjmë muzikë ashtu si na pëlqen ne. Nëse kjo perceptohet si autentike, aq më mirë,” u shpreh Kola.

Në lidhje me frymëzimin pas “Shkodrës Elektronike”, Beatriçe tregoi se ideja ishte të rikthenin thesaret e muzikës tradicionale shqiptare në një formë të re për brezat e rinj. “Na bashkoi dashuria për këngët shkodrane. Kur nisëm këtë rrugëtim, qëllimi ishte ta risillnim këtë pasuri që nuk njihet sa duhet, sidomos jashtë Shqipërisë. Kombinimi me muzikën elektronike i afron këto këngë me publikun e ri – dhe kjo na entuziazmon çdo herë.”

Një histori njohjeje e kthyer në një projekt të suksesshëm kulturor, që po lë gjurmë përtej kufijve.

Të fundit