Aktorja Julia Ilirjani, një nga emrat më të komentuar së fundmi në botën e ekranit dhe politikës, ka bërë një rikthim të ndjerë në televizion përmes një interviste në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon. Kjo ishte paraqitja e saj e parë publike pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku garoi si kandidate për deputete në radhët e Partisë Demokratike, duke marrë 384 vota.
E qetë dhe falënderuese ndaj mbështetësve të saj, Julia ndau me publikun reflektime të sinqerta mbi rrugëtimin e saj të fundit në politikë. Por momenti më prekës i intervistës ishte kur ajo u përlot, duke kujtuar një episod të dhimbshëm nga jeta e saj në SHBA.
Teksa punonte si pastruese në Amerikë, Julia rrëfeu një ditë plot pasiguri për të ardhmen. “I thashë Renees: ‘Boboh, ngelëm pa punë, s’kemi ku hamë’…”, tregoi ajo me lot në sy. Por ishte vajza e saj që i dha forcë në një moment të tillë. “Mos u mërzit, se unë ha në drekë në shkollë dhe gjysmën e ushqimit do ta sjell për ty”, i kishte thënë ajo.
Ky rrëfim i sinqertë dhe i ndjerë ka prekur zemrat e publikut, duke rikujtuar sfidat që përballin shumë prindër emigrantë dhe sakrificat për një të ardhme më të mirë për fëmijët.
Pavarësisht sfidave politike, Julia mbetet aktive në fushën e saj të dashur – aktrimin – duke vijuar angazhimet në teatër dhe film.






