Meriton Mjekiqi dhe vëllai i tij arrestohen për një incident të dhunshëm
Moderatori i njohur kosovar, Meriton Mjekiqi, së bashku me vëllain e tij, është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në një incident të dhunshëm që ka rezultuar me lëndimin e një 29-vjeçari.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, arrestimi është bërë më 22 korrik 2025, pas hetimeve që nisën pas ngjarjes së ndodhur më 11 korrik.
“Më 22.07.2025 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, më 11.07.2025,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa ndaj Mjekiqit dhe vëllait të tij rëndon akuza për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në media dhe rrjetet sociale për shkak të profilit publik të moderatorit.






