Pas një mungese dyvjeçare në ekran, Arbana Osmani është gati për një rikthim të bujshëm. Burime pranë produksioneve televizive bëjnë me dije se moderatorja e njohur është në negociata të avancuara me Tv Klan për një projekt të ri që do të nisë në sezonin e shtatorit. Edhe pse marrëveshja nuk është zyrtarizuar ende, gjithçka duket se po shkon drejt një konfirmimi, ndërsa vetë Arbana mësohet ta ketë pranuar ofertën e majme që i është bërë.
Sipas raportimeve, projekti i ri mund të jetë një format me histori reale, të ngjashme me ato që ajo ka moderuar më parë. Rikthimi i saj në ekran është paralajmëruar disi edhe nga vetë prezantuesja gjatë daljes së fundit në “X Factor Albania”, ku foli hapur për vendimin që mori për t’u larguar nga një nga programet më të ndjekura në vend, në kulmin e suksesit.
Në një rrëfim të sinqertë dhe emocional, Arbana ndau me publikun arsyet që e shtynë të largohej nga “Big Brother”, pavarësisht audiencës së lartë dhe karrierës në kulm. Ajo tregoi se kishte nevojë të gjente veten, të kalonte më shumë kohë me familjen dhe të çlirohej nga pritshmëritë e të tjerëve. “Nuk dija se çfarë doja, por dija se çfarë nuk doja dhe kaq më mjaftonte,” u shpreh ajo.
Me mesazhe të forta për vetëvlerësimin, guximin dhe rëndësinë e jetës reale përtej famës, Arbana dha sinjale të qarta se është gati të rikthehet – por këtë herë në kushte të reja, me një perspektivë më të thellë dhe personale për suksesin.
Rikthimi i saj pritet të bëhet zyrtar në javët në vijim, ndërsa publiku pret me padurim të mësojë se cili do të jetë formati që do të mbajë emrin e saj këtë herë.






