Alban Skënderaj ka përmbyllur me sukses katër netë koncertesh në Prishtinë, ku rreth 20 mijë fansa krijuan një atmosferë spektakulare. Në skenë pranë tij ishte edhe partnerja e tij në jetë dhe në muzikë, Miriam Cani, e cila me performancat e saj i dha eventit një emocion të veçantë.
Pas mbylljes së koncertit të fundit, Albani u shpreh mirënjohës për publikun, por një dedikim i veçantë shkoi për Miriamin. Në një postim publik, ai i dha partneres fjalët më të ndjera:
“Siç të thashë edhe në skenë: pa ty asgjë nuk do ishte e mundur.”
Koncertet e kantautorit u pritën me duartrokitje dhe emocion, duke dëshmuar edhe një herë se ai mbetet një nga artistët më të dashur në mbarë trojet shqiptare.
Në jetën private, Albani dhe Miriam Cani janë bashkë prej shumë vitesh dhe prindër të dy fëmijëve. Të dy përkrahin vazhdimisht projektet e njëri-tjetrit, duke u bërë një nga çiftet më të admiruar të showbizit shqiptar.






