Një incident ka ndodhur gjatë orëve të natës në shtëpinë e Big Brother, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga familja e Rogertit.
Gjatë një momenti kur Rogerti ishte shtrirë për të fjetur, Mateo ka tentuar t’i marrë jorganin, duke e tërhequr me forcë. Si pasojë e këtij veprimi, Rogerti ka rënë nga shtrati, duke ngritur shqetësime serioze për tejkalim të kufijve të lojës.
Sipas deklaratës së publikuar nga familjarët, para incidentit Rogerti ishte vënë në shënjestër nga banorët pas debateve të ashpra që kishte pasur me Malin. Pas ofendimeve dhe situatave të tensionuara, familja pretendon se ngjarja e fundit përbën një akt dhune fizike dhe psikologjike ndaj tij.
Familjarët theksojnë se veprimi i Mateos është kryer “nën petkun e lojës”, por sipas tyre, tërheqja e dhunshme e jorganit dhe rrëzimi nga shtrati përbëjnë shkelje të qartë të rregullores së Big Brother, ku çdo formë e prekjes fizike është e ndaluar.
Në deklaratë thuhet se ky akt duhet të trajtohet me “zarf të zi”, pasi bëhet fjalë për përdorim force ndaj një personi që ndodhej i shtrirë dhe i pambrojtur në atë moment.
Familja shpreh shqetësimin se situata mund të kishte përfunduar edhe më keq, duke theksuar se loja nuk justifikon dhunën apo rrezikimin e shëndetit të një banori.
Në fund, familjarët kërkojnë që produksioni të marrë masa ndaj Mateos, duke nënvizuar se dhuna fizike nuk duhet të tolerohet në asnjë formë.






