Vetëm pak javë pas ndarjes nga këngëtari i njohur Shpat Kasapi, make-up artistja Selvije Jao ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë rreth situatës së re familjare, marrëdhënies me ish-partnerin dhe përkushtimit të saj si nënë e vetme ndaj djalit të tyre, Roel.
Përmes një rubrike pyetje-përgjigje në Instagram (“Ask me questions”), një ndjekës e pyeti: “Si është të jesh njëkohësisht nënë dhe baba për Roelin?”
Selvija u përgjigj shkurt, por me shumë domethënie:
“Faleminderit. Roeli është primare tek unë dhe mundohem të bëj më të mirën për të.”
Megjithatë, ajo nuk e la pa përmendur rolin e Shpatit në jetën e të birit, duke hedhur poshtë çdo aludim se e rrit vetëm djalin:
“Roeli ka babin më të mirë në botë që punon shumë dhe suporton rritjen e Roelit në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk është se kontribuoj vetëm unë tek rritja e Roelit.”
Nga ana tjetër, Shpati e ka konfirmuar ndarjen përmes një Instastory që bëri bujë, ku la të kuptohet se fajin e kishte vetë ai:
“Krijo disiplinë. Ushqehu mirë. Ushtro. Dhe mos gaboooo me gruan… se s’të fal, të len!”
Ky mesazh u interpretua gjerësisht si një reflektim personal dhe një pranim faji ndaj fundin e marrëdhënies.
Vetëm dy ditë para këtij reagimi, Selvija publikoi një tjetër Instastory ku njoftonte largimin e saj nga Tirana, qyteti ku çifti kishte vendosur të jetonte prej më shumë se një viti.
“Më në fund po largohem, por zemra ime do të mbajë gjithmonë një copëz nga ky qytet,” – shkroi ajo.
Ajo shtoi se çdo cep i Tiranës i kujton luftën personale për veten dhe djalin:
“Në çdo cep të këtij qyteti kam lënë pjesë të shpirtit tim. Një grua që luftoi, qeshi, u rrëzua dhe u ngrit për veten dhe për djalin e saj.”
Në asnjë rresht të këtij mesazhi nuk përmendet Shpati, duke lënë të kuptohet se ajo po largohet nga Tirana vetëm me të birin, Roelin. Fansat kishin kohë që dyshonin për një ndarje, pasi çifti nuk ndiqej më në rrjetet sociale dhe Selvija më parë kishte publikuar një postim ku fliste për një periudhë të vështirë që po kalonte:
“Mos më thoni më ‘Nuk kam kohë’ apo ‘Nuk kam motivim’, sepse nuk e dini sa shumë do t’jua ndryshojë jetën,” – kishte shkruar ajo, duke rritur dyshimet për një krizë në çift.
Ndërkohë, kjo ndarje shënon një fund të një kapitulli të rëndësishëm për çiftin që dikur dukej i pandashëm. Ata ishin shpërngulur nga Shkupi për të jetuar në Tiranë mbi një vit më parë, për arsye që kishin të bënin me punën dhe edukimin e të birit.
Në një intervistë të mëparshme, Shpat Kasapi kishte treguar:
“Vendosa të bëj një jetë më ndryshe se ajo në Shkup. T’i kem gjërat më afër. Mendova për djalin – kopshtet janë më të mira, gjuha është e pastër. Megjithatë Shkupin e dua fort, se atje jam rritur, por Tirana është tjetër gjë.”
Ai kishte shtuar gjithashtu:
“Këtu në Tiranë do të hap dhe një lokal. Jam duke ardhur si biznesmen.”
Ndërsa Selvija, që shpesh komunikon me ndjekësit në rrjetet sociale, ka bërë një rrëfim prekës lidhur me shtatzëninë e saj. Ajo ka treguar se në fillim ishte në pritje të binjakëve, por fatkeqësisht humbi njërin prej tyre dhe iu desh të luftonte fort për të shpëtuar Roelin.
“Shtatzëninë e kam pasur shumë të vështirë dhe më kanë mbetur pasoja në shëndet nga medikamentet që kam marrë. Sado që të kem dëshirë të kem fëmijë tjetër, nuk e marr dot guximin. Do i përkushtohem Roelit në maksimum dhe gjërat e tjera do ia lë Zotit.”
Ajo rrëfeu:
“Unë kam nisur shtatzëninë me binjakë, domethënë Roeli do kishte një vëlla ose motër tani. Pasi e humba njërin, më duhej të luftoja për të shpëtuar Roelin dhe medikamentet e hormonet që merrja më bënë shumë keq. Por gjithmonë, caktimi i Allahut është më i mirë sesa dëshirat tona.”
E pyetur për zhvendosjen nga Shkupi në Tiranë, Selvija tha:
“Arsyet janë të shumta – që nga angazhimet e Shpatit deri te shkollimi i Roelit. Ai duhej të udhëtonte çdo javë në Tiranë dhe më shumë ishim në rrugë sesa në shtëpi. Prandaj vendosëm të zhvendosemi.”
Çifti u njoh gjatë një bashkëpunimi artistik, kur Selvija ishte grimerja e Shpatit dhe vajzave në një videoklip të tij. Më pas lindi një lidhje e fortë, që u përshkrua nga Shpati si:
“Jemi përshtatur për nga natyra, si shokë. Na ka ecur muhabeti. Afërsia ndikon shumë. Pastaj takimi me familjet… është emocionuese.”
Por ajo që dikur nisi si një histori dashurie e bukur, sot është mbyllur – me respekt, me reflektim dhe me fokusin te një emër i përbashkët: Roeli.






