Këngëtarja e njohur Rina Balaj ka folur hapur për raportin e saj me reperin Fero, me të cilin dikur ndau bashkëpunime që u kthyen në hite dhe ndikuan në karrierën e të dyve.
E ftuar në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Rina ka treguar se mes saj dhe Feros ka ekzistuar gjithmonë respekt dhe afërsi, pavarësisht se secili ka ndjekur rrugën e vet në jetë dhe në muzikë.
“Unë me Feron mund të them lirisht se jemi rritur bashkë. Kemi qenë shumë të rinj kur kemi filluar të punojmë. Me mua ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm, dhe jo vetëm me mua, por edhe me shoqërinë time që janë krejt vajza,” – u shpreh Rina.
Artistja shtoi se mes tyre ka pasur gjithmonë mbështetje të ndërsjellë, edhe pse nuk kanë qenë në të njëjtin label.
“Shumë shpesh kemi marrë këshilla nga njëri-tjetri gjatë këtyre viteve. Edhe pse nuk kemi qenë në të njëjtin label, kemi ruajtur raport shumë të mirë. Unë Feron e shoh si vëllan tim, si Rigonin,” – tha ajo, duke përmendur emrin e vërtetë të reperit.
E pyetur për procesin gjyqësor që po përballet Fero, pas akuzave të ish-bashkëshortes Arbenita Ismajli për dhunë në familje, Rina zgjodhi të mos marrë anë, duke u shprehur me kujdes:
“Nuk mund të gjykoj për diçka që nuk e kam parë vetë.”
Deklarata e saj ka tërhequr vëmendjen e fansave, të cilët e kanë vlerësuar për maturinë dhe respektin që ka treguar ndaj dy palëve.






